joomla 1.6

Print
PDF
03
Jun

Historiku i fshatit

Written by Administrator.

Harta e Xhepçishtit

Rrëzë bjeshkëve të thepisura të Malit Sharr rrugës rajonale rreth 4 km larg Tetovës shtrihet fshati Xhepçisht, i cili është i vendosur në formë harku në dalje të një gryke të bukur malore në të dyja anët, ndërsa në jugperëndim freskinë ia jep përroi i madh i quajtur edhe si Lumi i Porojit.

Historiku

Xhepçishti është një vendbanim i lashtë. Në historiografi haset edhe me emrin ZAPÇISHT dhe daton që nga mesjeta. Saktësisht ky lokalitet përmendet në historiografinë e Perandorisë osmane në vitin 1455 me 44 shtëpi, dhe me një pasuri prej 8510 akçë,/ shih më detajisht dr. Hazim Shabanoviç "Krajista Isa-Beg is'hakovica zbirni katastarski popis iz 1455" na jep të dhënat e lartpërmendura për vakëfet e Tetovës që janë bërë prej 9 deri 18 maj 1455. Ndërsa në defterin nr. 4 të osmanlinjve të shekullit XV përmendet në vitin 1468 me 60 familje.
Xhepçishti prej vitit 1996 deri në vitin 2004 ishte komunë më vete. Kishte 6 këshilltarë komunalë të cilët në bashkëpunim me bashkësinë vendore i koordinojshin punët në interes të përbashkët, ka rreth 820 shtëpi me 5 mijë banorë. Kufizohet; nga veriu me masivin e Malit Sharr me territoret e fshatrave, në perëndim me fshatrat Gjermë, Setolë dhe Jeduarcë, në veriperëndim me fshatin Gjinovc, (i cili nuk ekziston, por që ka dëshmi materiale si të themeleve të manastireve, të 4 kishave si ajo e Zonjës Shën Mëri, Shën Nikollës, Shën Athanasit dhe kisha e katërt e cila ka qenë te vendi i quajtur te Baçet e Haxhi Ahmetit. Pra ky lokalitet i lashtë duhet të studiohet nga disiplinat e ndryshme të shkencës, mendoj se do të jetë motiv i arsyeshëm që i përmenda këta vlera materiale të pandriçuara historike), në veri me Neproshtenin, në verilindje me Ratajën, në lindje me fushat e Treboshit dhe në jugperëndim me Porojin që edhe është vështirë të dallosh kufirin mes këtij fshati me Xhepçishtin dhe me Tetovën e fushat e Pollogut. Struktura e popullsisë është 99% shqiptarë dhe 1% maqedonas.